Qyteti i Kamzës është bërë pjesë e nismës URBACT Pioneers Accelerator, një iniciativë e Bashkimit Evropian që synon forcimin e kapaciteteve të qyteteve për zhvillim të qëndrueshëm urban.
Kjo nismë financohet në masën 95% nga Programi Europian Interreg URBACT IV, me një buxhet prej 35,000 €.
URBACT është një program që ndihmon qytetet të mësojnë nga njëra-tjetra përmes shkëmbimit të përvojave, ideve dhe praktikave të mira, duke kontribuar në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve. Ai bashkon qytete nga e gjithë Evropa për të ndarë eksperienca dhe për të zhvilluar politika inovative.
Pjesëmarrja e Kamzës në këtë nismë është e fokusuar në përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve urbane, një prej sfidave kryesore të qytetit. Në kuadër të saj, Kamza do të ketë mundësi të:
• zhvillojë politika më efektive për ndarjen e mbetjeve në burim;
• promovojë ripërdorimin, reduktimin, riciklimin dhe trajtimin e mbetjeve;
• ndërtojë kapacitete të reja për administratën vendore mbi politikat inovative të menaxhimit të mbetjeve;
• rrisë ndërgjegjësimin e aktorëve lokalë mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.
Në bashkëpunim me gjashtë qytete të tjera të rajonit – Komunën e Shtipit, Komunën e Herceg Novit, Komunën e Baçki Petrovcit, Bashkinë Novi Pazar (njësia 2), Bashkinë e Mostarit dhe Bashkinë e Trebinjes (Agjencia e Zhvillimit TREDEA) – është ideuar projekti “Let’s Rethink Waste Together”, i cili ka për qëllim rritjen e kapaciteteve menaxheriale të qyteteve pjesëmarrëse përmes metodave inovative dhe bashkëkohore.