Na kontaktoni

Politikat e privatësisë

Kjo politikë informon se si Bashkia Kamëz mbledh dhe përdor të dhënat personale të individëve, vizitorëve, kandidatëve që marrin pjesë në proceset e rekrutimit të nëpunësve e punonjësve të ardhshëm të Bashkisë Kamëz, si dhe të individëve që paraqesin ankesa lidhur me çështje apo mbarëvajtjen e shërbimeve që ofrojmë. Përpunimi i këtyre të dhënave bëhet pas dhënies së pëlqimit nga vetë subjekti i të dhënave ose në rastet e tjera të parashikuara nga Ligji nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar.

Bashkia Kamëz është organ publik që organizohet dhe funksionon në mbështetje dhe zbatim të Ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” dhe Ligjit nr. 115/2014 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore”, të ndryshuar. Ajo vepron gjithashtu në bazë të Rregullores së brendshme të organizimit, funksionimit, detyrave dhe përgjegjësive të administratës së Bashkisë Kamëz, si edhe në përputhje me çdo akt tjetër ligjor ose nënligjor në fuqi që rregullon ushtrimin e të drejtave dhe përmbushjen e detyrimeve të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Bashkia Kamëz disponon faqen www.kamza.gov.al, nëpërmjet së cilës ofrohen informacione për qytetarët, bizneset, grupet e interesuara dhe vizitorët lidhur me realizimin e funksioneve dhe përgjegjësive ligjore të saj. Aty pasqyrohen punët e përditshme të kryera nga Bashkia Kamëz, si dhe informacione mbi shërbimet që ajo ofron në fushat e strehimit, planifikimit dhe zhvillimit të territorit, transportit publik, bashkëpronësisë, kulturës, gjendjes civile, arkivës, shërbimit publik të varrimit, shërbimit social dhe procedurat e rekrutimit të nëpunësve/punonjësve. Gjithashtu, në faqen zyrtare mund të gjenden aktet e miratuara nga Kryetari i Bashkisë dhe Këshilli Bashkiak, kërkesat/ankesat për informim ose zgjidhjen e problematikave të ndryshme, si edhe shumë shërbime e aktivitete të tjera që synojnë rritjen e transparencës dhe mundësimin e komunikimit dhe ndërveprimit në kohë reale me çdo qytetar. Këto praktika synojnë realizimin e një qeverisjeje më efikase dhe më të afërt me nevojat e komunitetit.

Gjithashtu, çdo individ mund të aksesojë informacionin/shërbimin në mënyrë të plotë, të saktë, në formën më të përshtatshme dhe brenda një kohe sa më të arsyeshme, duke siguruar kështu shërbime më të mira publike.

Objekti i Politikave të Privatësisë

Ky dokument ka për qëllim informimin e subjekteve të të dhënave personale lidhur me mënyrën e mbledhjes, përpunimit, shpërndarjes, ruajtjes dhe masave të sigurisë së të dhënave që ato deklarojnë përmes faqes sonë zyrtare të internetit. Të gjitha proceset e përpunimit të të dhënave realizohen në përputhje të plotë me përcaktimet e kuadrit ligjor dhe rregullator për mbrojtjen e të dhënave personale në Republikën e Shqipërisë.

Përdorimi i të Dhënave Personale

Të dhënat personale mund të përdoren për të komunikuar me vizitorët, ankuesit ose çdo subjekt tjetër të interesuar, për qëllime historike, shkencore ose statistikore, për ndjekjen dhe përfundimin e procedurave të punësimit të rregulluara me ligj etj. Gjatë përpunimit të tyre, sigurohet që të mos merren masa apo vendime individuale kundër një personi të caktuar, duke garantuar konfidencialitetin e informacionit të siguruar. Bashkia Kamëz kryen përpunimin ligjor të të dhënave personale, duke respektuar dhe garantuar liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe, veçanërisht, të drejtën e ruajtjes së jetës private.

Siguria

Bashkia Kamëz garanton se të dhënat që ruhen në bazën e saj të të dhënave trajtohen me masat më të larta të sigurisë. Ajo është përkushtuar të zbatojë në mënyrë rigoroze të gjithë kuadrin ligjor në fuqi për mbrojtjen dhe respektimin e çdo procedure që lidhet me përpunimin e të dhënave të përdoruesve. Për këtë qëllim respektohen dispozitat e Ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar, si dhe çdo akt tjetër të miratuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Mbrojtja e të Dhënave Personale

Parimet kryesore të mbrojtjes së të dhënave personale që zbatohen nga Bashkia Kamëz janë:

  • Përpunimi i të dhënave në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme.
  • Grumbullimi për qëllime specifike, të përcaktuara qartë dhe legjitime, dhe përpunimi i të dhënave vetëm në përputhje me këto qëllime.
  • Sasia e të dhënave të mbledhura duhet të jetë e mjaftueshme dhe e lidhur me qëllimet e përpunimit, pa i tejkaluar ato.
  • Të dhënat ruhen në formën që lejon identifikimin e subjekteve të tyre për një periudhë sa më të përshtatshme, por jo më shumë se sa është e nevojshme për qëllimin e përpunimit.
  • Të dhënat duhet të jenë të sakta dhe, kur është e nevojshme, të përditësohen, duke ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të korrigjuar ose fshirë të dhënat e pasakta ose të paplota, në lidhje me qëllimin për të cilin janë mbledhur.

Bashkia Kamëz merr përsipër të mbrojë këto të dhëna dhe të mos i keqpërdorë për asnjë rast apo qëllim tjetër.

E Drejta për t’u Ankuar

Çdo person që pretendon se të drejtat, liritë dhe interesat e tij të ligjshme në lidhje me të dhënat personale janë shkelur, ka të drejtë të paraqesë ankesë ose të informojë Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të kërkojë ndërhyrjen e tij për vendosjen në vend të së drejtës së shkelur. Pas shqyrtimit të ankesës nga Komisioneri, subjekti i të dhënave mund të vazhdojë ankimin në rrugë gjyqësore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale: Adresa: Rruga “A. Toptani”, Tiranë, Kati II. Website: www.idp.al.

Në çdo rast, nëse subjekti i të dhënave ka paraqitur një ankesë tek kontrolluesi (Bashkia Kamëz), kontrolluesi nuk ka të drejtë të ndryshojë të dhënat personale para dhënies së vendimit përfundimtar nga ana e Komisionerit.

Pyetje / Ankesa / Informacion

Shpresojmë që informacioni i mësipërm t’ju ketë informuar në mënyrë të plotë për çështjet e privatësisë, në kuadër të përdorimit të faqes web të Bashkisë Kamëz. Për çdo kërkesë, informacion ose problematikë në lidhje me faqen web www.kamza.gov.al, lutemi të na kontaktoni:

  • E-mail: [email protected]
  • Tel: +355 47 200 177
  • Adresa: Bulevardi “Nënë Tereza”, Kamëz, Shqipëri