Informacion dhe vetëshërbim online

Zyra e këshillimit të karrierës – Bashkia Kamëz do të ofrojë informacion të pavarur lidhur me arsimimin, formimin dhe planifikimin e zhvillimin e karrierës. Pranë kësaj zyre, të rinj e të rritur do të gjejnë informacion mbi profesionet dhe mbi tregun e punës. Të gjithë të interesuarit mund ta marrin këtë informacion cilësor dhe të standardizuar nëpërmjet vetëshërbimit në faqen online karriera.kamza.al por gjithashtu mund të vizitojnë zyrën e shërbimit ku këshilluesit e karrierës do ti orientojnë drejt informacionit të nevojshëm.

Këshillim individual

Nëpërmjet bashkëbisedimeve të shkurtra dhe të strukturuara, do të trajtohen pyetjet që të rinj e të rritur kanë mbi mundësitë e arsimimit, formimit në fusha të ndryshme, mundësitë e punësimit për profesione të caktuara, dhe ofertat aktuale të praktikave. Në këto bashkëbisedime janë të mirëpritur edhe prindërit, të cilët mund të vijnë vetëm, ose me fëmijën për të bërë një bisedë njohëse dhe orientuese. Në këto seanca këshillimi individual, të rinj e të rritur mund të shkëmbejnë me një këshillues karriere nëse janë duke zgjedhur një profesion, nëse janë duke eksploruar interesat dhe aftësitë kundrejt mundësive në tregun e punës, apo janë duke qartësuar mendimet dhe ambiciet për zhvillimin e karrierës. Këto seanca ndihmojnë me vendimmarrjen dhe planifikimin e hapave të metejshëm. Për të marrë një seancë këshillimi individual është e rëndësishme që paraprakisht të rezervohet një takim nëpërmjet faqes web ose duke vizituar Zyrën e Këshillimit të Karrierës.

Teste vlerësuese

Kjo zyrë ofron përdorimin  e instrumentave bashkëkohorë për të hulumtuar fushat e interesit të individëve dhe për të analizuar nevojat për këshillim e orientim, sikurse dhe vështirësitë në vendimmarrjet në karrierë që të rinj e të rritur hasin në rrugëtimin e tyre profesional. Këto teste të standardizuara plotësohen me rekomandimin e këshilluesit të karrierës, i cili gjithashtu ndihmon ne interpretimin e rezultateve.

Edukim mbi karrierën

Këshillueset e karrierës do të ofrojnë edukim për karrierën duke filluar nga arsimi fillor: Në bashkëpunim të ngushtë me mësuesit kujdestarë, psikologët dhe punonjësit socialë në shkolla, nxënësve do t’u ofrohen module të përqendruara edukimi për karrierën. Ata do të kenë mundësi të mësojnë për profesionet dhe rrugëtimin për një karrierë profesionale.

Edukimi mbi karrierën do të realizohet në seanca informimi dhe këshillimi në grup zakonisht në mjediset e shkollave. Këshilluesit e karrierës do të jenë në shkolla në ditë dhe orare të caktuara sipas një kalendari të dakordësuar paraprakisht me secilën shkollë.

Këshillime në grup

Zyra e këshillimit të karrierës Bashkia Kamëz, do të organizojë veprimtari të vazhdueshme mbi tematika të ndryshme për të ndihmuar të rinj e të rritur me planifikimin dhe zhvillimin e karrierës. Disa nga temat e këtyre aktiviteteve do të kenë në fokus thellimin ne profesione të caktuara, në drejtime të caktuara në arsimin profesional, për mundësi studimi apo edhe për njohjen e vetë shërbimeve të Zyrës së këshillimit të karrierës. Zyra e këshillimit të karrierës do të ndajë me gjithë të interesuarit një kalendar të këtyre veprimtarive.