Bashkia Kamëz shpall thirrjen publike në kuadër të fuqizimit të të rinjve dhe politikave rinore, me qëllim fuqizimin e rolit të tyre në zhvillimin e komunitetit lokal, dhe në veçanti në nxitjen e pjesëmarrjes aktive, përfshirjes sociale si faktor kyç për të ardhmen e qytetit.
Bashkia Kamëz, me një ndër përqindjet më të larta të popullsisë rinore në vend, përfaqëson një qytet në zhvillim të vazhdueshëm, ku rinia është motor i inovacionit dhe një mundësi strategjike për ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Në këtë realitet të favorshëm, roli i Organizatave të Shoqërisë Civile bëhet edhe më i rëndësishëm si ura lidhëse mes të rinjve dhe mundësive për zhvillim personal e profesional.
Kjo thirrje synon të mbështesë iniciativat që forcojnë kapacitetet e të rinjve, rrisin aksesin e tyre në arsim cilësor, trajnim profesional, punësim, pjesëmarrje demokratike dhe jetë kulturore e sportive përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me OSHC-të që veprojnë në territorin e Bashkisë Kamëz.
Baza ligjore
LIGJI Nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ku përcaktohet organizimi, kompetencat dhe funksionimi i Njësive të Vetëqeverisjes Vendore në Shqipëri.
LIGJI Nr. 68/2017 “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore” (ndryshuar me ligjin nr. 40/2023, datë 8.6.2023) Neni 4, pika.4 ku përcaktohen rregullat dhe kompetencat që kanë njësitë e vetëqeverisjes vendore (bashkitë) për menaxhimin e financave të tyre (në të cilat përfshihet dhe dhënia e fondeve për projekte publike në bashkëpunim me OSHC-të).
LIGJI Nr. 75/2019 “Për Rininë”, i cili përcakton se institucionet shtetërore në nivel qëndror dhe vendor kanë për detyrë të krijojnë mundësi për pjesëmarrjen aktive të të rinjve dhe mbështetjen e iniciativave rinore.
LIGJI Nr. 119/2014 PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT (I ndryshuar me ligjin nr.78, datë 21.09.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”), ka për qëllim garantimin e së drejtës së publikut për t’u njohur me informacionin që prodhohet ose administrohet nga autoritetet publike. Ligji synon të sigurojë ushtrimin efektiv të lirive themelore të individit, si dhe të nxisë transparencën, integritetin dhe përgjegjshmërinë e institucioneve publike.
Mbështetja e aktorëve të ndryshëm të shoqërisë civile është një element i rëndësishëm për vetëqeverisjen vendore, duke nisur nga fakti, që vetëqeverisja vendore organizohet dhe funksionon bazuar në parimin e subsidiaritetit, që nënkupton një vendimmarrje sa më pranë qytetarëve dhe për qytetarët.
Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 252, datë 20.4.2023 “Për miratimin e strategjisë ndërsektoriale për decentralizimin dhe qeverisjen vendore 2023–2030, të planit të saj të veprimit 2023–2025 e të pasaportës së indikatorëve” përcakton ndër objektivat e saj, objektivin nr.5, ku fokusi i drejtohet shoqërisë civile – rritja e bashkëpunimit dhe rolit të shoqërisë civile në vendimmarrjen vendore.
Kjo nismë përputhet plotësisht me objektivat e Strategjisë Kombëtare për Rininë 2022-2029, e cila thekson rëndësinë e krijimit të hapësirave për pjesëmarrjen aktive të të rinjve në jetën publike, përmes mbështetjes së iniciativave të tyre në fusha si: arsimi, kultura, inovacioni dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
OBJEKTIVAT E THIRRJES
Objektivi i përgjithshëm:
Fuqizimi i të rinjve për të qenë të mirëinformuar, për të shprehur zërin e tyre, rritur pjesëmarrjen, për të qenë aktivë dhe vendimmarrës në jetën e tyre sociale dhe të komunitetit duke kultivuar aftësitë e tyre në art, kulturë, sport, mjedis, shkencë, mendim kritik dhe teknologji.
Objektivi i përgjithshëm i thirrjes:
Informimi i të rinjve rreth mundësive për të mesuar, fituar përvojë organizative dhe vullnetarizëm dhe për të marrë pjesë aktivisht në jetën qytetare, sociale dhe politike (O.S. 1, Strategjia Kombëtare e Rinisë).
Objektivat specifikë:
- Të rritet ndërgjegjësimi i të rinjve mbi mundësitë për arsim, punësim, pjesëmarrje qytetare dhe mobilitet rinor në kuadër të procesit të Integrimit Evropian.
- Të promovohet përfshirja aktive e të rinjve në proceset vendimmarrëse, duke garantuar respektimin e parimeve demokratike si barazia, transparenca dhe liria e fjalës.
- Të zhvillohen dhe mbështeten aftësitë e të rinjve në fusha të ndryshme, duke krijuar mundësi për shprehjen e tyre kreative dhe bashkëpunimin në komunitet.
LOT 1: Inovacioni, Zhvillimi i Qëndrueshëm dhe Integrimi Evropian;
- shuma minimale: 700.000 Lekë;
- shuma maksimale: 1.000.000 Lekë.
LOT 2: Fuqizimi i të rinjve si aktorë të ndryshimit lokal.
- shuma minimale: 1.000.000 Lekë;
- shuma maksimale: 1.500.000 Lekë.
Totali i grantit në dispozicion për këtë Thirrje është: 2.500.000 Lekë.
PËRSHTATSHMËRIA/PRANUESHMËRIA:
Pjesëmarrja në këtë thirrje publike është e hapur, në baza të barabarta, për të gjitha OShC-të e regjistruara zyrtarisht (shoqata/organizata apo fondacion) në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi në Shqipëri. Të gjitha organizatat e shoqërisë civile të interesuara mund të gjejnë informacion të hollësishëm rreth kushteve për aplikim si dhe për kriteret për financimin e projekteve në Udhëzimin për Aplikantë, pjesë përbërëse e dokumentacionit të thirrjes publike.
DOKUMENTACIONI:
Dokumentacioni për Thirrjen Publike të Bashkisë Kamëz mund të tërhiqet prej datës 22 Shtator 2025 deri më 21 Tetor 2025, duke dërguar një kërkesë me emrin e organizatës së interesuar në adresën e-mail: [email protected], ose duke e marrë fizkisht në adresën:
Drejtoria e Integrimit në BE, Projekteve të Huja dhe Zhvillimit Ekonomik
Ambientet e reja të Bashkisë, Valias
Rruga “Mati”, Valias
Takime Online (ditët e hapura për më shumë informacion)
Lidhur me këtë thirrje, për OShC-të e interesuara për të aplikuar në këtë thirrje do të mbahen takime online me përfaqësues nga Bashkia Kamëz, më datë 30 Shtator 2025, ora 11:00. Të gjithë të interesuarit për të marrë pjesë ditën e hapur, e cila organizohet për përfaqësuesit e të gjithë OShC-ve të interesuara për të aplikuar në kuadër të kësaj thirrje, duhet të nisin kërkesë me email në adresën [email protected] për pjesëmarrje.
Pyetje rreth kësaj thirrje mund të bëhen përmes adresës [email protected], duke iu referuar thirrjes publike. Pyetjet mund të dërgohen deri më 10 Tetor 2025, ndërsa përgjigjet do të jepen me shkrim brenda 5 ditëve pune që nga data e pranimit të pyetjeve përkatëse.
DORËZIMI I APLIKIMEVE:
Aplikimet e plota, me gjithë dokumentacionin përkatës, duhet të dorëzohen në tre (3) kopje fizike dhe në një kopje elektronike (në USB), duke i dërguar përmes postës zyrtare ose fizikisht. Aplikimet duhet të jenë të vendosura në një zarf të vulosur, i cili referohet qartë thirrjes publike. Dorëzimi bëhet gjatë ditëve të punës (nga e hëna në të premte), nga ora 09:00 deri në 15:00, në adresën:
Bashkia Kamëz
Bulevardi “Nënë Tereza”, Kamëz
Afati për dorëzimin e aplikimeve është data 21 Tetor 2025. Në pjesën e jashtme të zarfit duhet të shkruhen qartë: emri i thirrjes publike për projekt-propozime, emri i plotë dhe adresa e aplikantit, emri i plotë i projektit, si dhe fjalët: “Të mos hapet përpara hapjes zyrtare”. Aplikimet e dërguara në mënyra tjera (p.sh. me faks apo e-mail) ose që janë dërguar në adresa tjera nuk do të merren parasysh.
Formulari për regjistrimin e dokumentacionit të pranuar lëshohet nga përfaqësuesi i bashkisë. Të gjithë aplikantët që kanë paraqitur propozime, pavarësisht nëse pranohen ose jo, njoftohen me shkrim për vendimin e marrë për projekt-propozimin e tyre brenda 30 ditëve pune nga mbyllja e thirrjes publike. Rezultatet përfundimtare do të publikohen në web-in e Bashkisë Kamëz, si dhe/ose në tabelën e njoftimeve pranë ambienteve të Bashkisë.
Udhëzues për aplikimin e OSHC-ves
Shtojca 4 Plani i aktiviteteve
Shtojca 5 Formulari i identifikimit administrativ
Shtojca 6 Formulari i identifikimit financiar
Shtojca 7 Deklarata për Plotesimin e kritereve
Shtojca 9 Deklarata e Partneritetit
Shtojca 10 Deklarata për shmangien e konfiliktit të interesit